E pati mohuar se është pjesë e Nismës, por Kastrati mbrëmë “e kalli atmosferën” bashkë me Limajn

Sekretari i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ekrem Kastrati mbrëmë ishte i pranishëm në një aheng me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Aty shihet duke “e kallë atmosferën”!

Kastrati është zgjedhur sekretar i MASHT-it, në shkurt të këtij viti. Deri atëherë kishte punuar si shef i njësisë së prokurimit në Komunën e Malishevës.

Gazeta “Koha Ditore” pati raportuar me 14 shkurt se Kastrati është anëtar i Nismës Socialdemokrate ndonëse i njëjti e pati mohuar një gjë të tillë.

“Unë jam pjesë e shërbyesve civil dhe nuk kam lidhje me këtë parti. Mendoj se i kam plotësuar të gjitha kriteret dhe jam i kënaqur me vendimin”, kishte thënë ai për gazetën.

Ambasada britanike kishte dhënë qëndrim se as Kastrati e as dy kandidatët tjerë në listën e ngushtë nuk i kanë plotësuar kriteret për sekretar të MASHT-it.

“Partneri implementues i projektit ka dhënë mendimin profesional sipas së cilit asnjëri nga kandidatët nuk i plotëson kushtet për emërim në këtë pozitë. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ndihmojë Kosovën në emërimin e pozitave të larta në bazë të meritës, mirëpo suksesi apo dështimi i këtij projekti do të jenë përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës”, pati thënë kjo ambasadë për gazetën.

Image

E pati mohuar se është pjesë e Nismës, por Kastrati mbrëmë “e kalli atmosferën” bashkë me Limajn