“E pashë rastësisht dhe e vrava”, zbardhet dëshmia e Habib Rexhës

Pasi u vetëdorëzua pasditen e sotme, Habib Rexha ka folur para hetuesve për krimin e ndodhur në Kavajë. Ditën e diel, Rexha dyshohet se vrau me armë zjarri në shenjë hakmarrjeje për vëllanë e tij, Arjan Gosën në një lokal në qytetin e Kavajës.

ABC News ka mësuar detaje rreth dëshmisë që ai ka dhënë para oficerëve të Policisë gjyqësore. Ai shprehet se armën e mbante me vete, ndërsa Arjan Gosën thotë se e ka parë rastësisht dhe ka vepruar nga gjaknxehtësia.

Referuar dëshmisë, autori i dyshuar shprehet se ka qenë bashkë me shokun e tij, por ky i fundit nuk kishte dijeni për krimin që kishte kryer vetë Habib Rexha, transmeton Paparaci.

“Isha pranë një kinkaleria bashkë me një shokun tim. Pashë që Arjani ka qenë ulur në lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva në këmbë. Armën e mbaja me vete. Shoku nuk ka qenë në dijeni. E pashë rastësisht në kafe. Veprova nga gjaknxehtësia. Pasi bëra vrasjen u largova bashkë me shokun nga Durrësi në drejtim te Kukësit”, ka deklaruar ai.

Sakaq, Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë dy muaj më parë në Kavajë. Altin Rexha u përfshi në një konflikt me Edmond Gosën në muajin mars, vëllanë e Arjan Gosës, dhe pas debatit me fjalë ata vranë njëri-tjetrin.