E paprecedent| Kurti ndërhyn në drejtësi, nëntë deputetë të tij shkuan në seancë për t’i bërë presion gjyqtarit

Partia në pushtet po vazhdon ndërhyrjet në drejtësi.

Nëntë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, të hënën kanë marrë pjesë në një seancë gjyqësore për një rast të kontestuar të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Aty ishin deputetët e LVV-së, Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Enver Haliti, Luan Aliu, Salih Zyba, Jeta Statovci, Enver Dugolli dhe Arjeta Rexhepi.

Ishte deputetja Tinka Kurti, ajo që e njoftoi publikun për këtë pjesëmarrje, duke thënë se kishin shkuar për rastin e NPB-së “ku pritej të mbroheshin 17 mijë metra katrorë pronë publike”.

Por, prania e nëntë njerëzve që e bëjnë ligjin në Kosovë po konsiderohet si trysni mbi gjyqtarin e rastit dhe vendimmarrjen e tij, shkruan Demokracia.com.

Por, kjo duket se është një çështje me interes të veçantë për Vetëvendosjen, ngase në fillim të shtatorit me këtë çështje ishte marrë personalisht edhe vetë kryeministri Albin Kurti.

Ai e kishte rishpërndarë një video nga “Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Prishtinë”, në të cilën trajtohej kjo çështje që është në duar të gjykatës.

Kurti si kryeministër atë ditë kishte bërë një ndërhyrje flagrante në drejtësi, shkruan Deemokracia.com.

Ai kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të caktonte masën e sigurisë për mbrojtjen e 17 mijë metrave katrorë në Prishtinë.

Madje, Kurti kishte hedhur akuza mbi gjykatën, duke thënë se po heshtin përballë kërkesës së asamblistëve të Vetëvendosjes, pasi që gjykata kishte vendosur vetëm për tri ditë për një ankesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për “tarifat e energjisë elektrike”.

“Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike”, shkruante kryeministri Kurti, përcjell Demokracia.com.