Sot bëhen pesë vjet që deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po mbahet në paraburgim në Hagë. Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një njoftim për media, duke theksuar se Selimi po mbahet “padrejtësisht” dhe duke e cilësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të përfaqësimit të saj politik.

Në njoftim thuhet se që nga viti 2010, kur Vetëvendosje mori pjesë për herë të parë në zgjedhje, Rexhep Selimi ka qenë “ndër fitimtarët, ndër çlirimtarët, një prej zërave më të fuqishëm e më të drejtë të përfaqësimit tonë politik.”

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu, sekretarin organizativ Alim Rama, ministra, deputetë dhe aktivistë të Vetëvendosjes, kanë vizituar sot familjen e Rexhep Selimit në Prishtinë, ku u pritën nga bashkëshortja e tij, deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi.

Në komunikatën e Vetëvendosjes nuk përmenden ish-krerët e tjerë të UÇK-së që po mbahen në Hagë – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – duke u fokusuar tërësisht te rasti i Rexhep Selimit.