E mbyti gruan duke e rrahur, ngrihet aktakuzë ndaj personit nga Suhareka

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër I.H., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 01.06.2019, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Sipas aktakuzës, i akuzuari I.H., më 31.05.2019, rreth orës 17:30, duke drejtuar veturën e tipit “Suzuki Wagon R+”, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme fjalosen.

I akuzuari I.H. me këtë rast ndal automjetin, nxjerr gruan e tij me forcë jashtë, dhe e rrah fizikisht, pas së cilës kjo e fundit rrëzohet në asfalt.
Bashkëshorti i saj nuk ka ndaluar me kaq, por ka vazhduar ta rrahë dhe si rrjedhojë ajo ka pësuar dëmtime në trup, nga të cilat vdes në QKUK në Prishtinë, më 15.06.2019.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

loading…