Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme të Kosovës për të moscertifikuar disa kandidatë, përfshirë edhe bartësinë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për shkak të problemeve që kishin me ligjin në të kaluarën.

Ajo ka thënë se partitë politike në Kosovë duhet të respektojnë vendimin e Supremes.

“Pas vendimit të Gjykatës Supreme për të ndalimin e Albin Kurtit nga kandidimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme, dua të theksoi se të gjitha partitë politike të Kosovës duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme dhe shpresoj se ato do të bëjnë një fushatë korrekte në javët e ardhshme”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Von Cramon shpesh është kritikuar për shkak të mbështetjes së hapur që i jepte Kurtit edhe kur ishte kryeministër edhe kur e larguan. Ajo pati thënë se ishte gabim rrëzimi nga pushteti i Kurtit. /Ballkani.info/