oficerë të Policisë

E mbajtën ilegalisht qytetarin në stacion, këta tre oficerë ende vazhdojnë punën në Policinë e Kosovës

Muaj më parë tre oficerë të Policisë së Kosovës, Berat Haradinaj, Bastri Behrami dhe Istref Latifi, nën dyshimin se ka armë ilegale kishin ndaluar qytetarin B.H. edhe pasi që i njëjti ua prezantoi lejen ata vendosën që ta mbanin ilegalisht në stacion. Madje u munduan që të mos e raportonin rastin. Derisa Prokuroria në Prishtinë po e zvarrit rastin, Insajderi sjell detajet nga hetimi kundër tyre.

Në gusht të vitit të kaluar qytetari B.H. ishte ndaluar fillimisht nga Policia e Kosovës në një pikë karburanit nën dyshimin se po mbante një armë pa leje.

Pas kontrollit dhe gjetjes së armës, sipas dëshmitarëve, i njëjti ua kishte treguar policisë lejen për bartjen e armës.

Siç ishte raportuar në media në atë kohë, ky dokument zyrtar nuk i kishte penguar ata që ta arrestojnë brutalisht dhe ta mbajnë atë për disa orë të natës në stacionin policor, duke e privuar nga liria e lëvizjes.

Pas lirimit të tij, për shkak të posedimit të lejes për armën që i ishte gjetur, Policia e Kosovës si duket nuk ka hapur fare as rast. Kjo ngjarje, po ashtu, nuk është përfshirë as në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës si incident kriminal.

Ky qytetar kishte hapur një rast në Inspektoratin Policor të Kosovës. rasti u hetua nga IPK-ja dhe ndaj policëve Berat Haradinaj, Bastri Behrami dhe Istref Latifi u zhvilluan hetime nga ky institucion.

“Duke ju referuar kërkesës suaj informojmë se Inspektorati Policor i Kosovës me datë 03.08.2021 ka pranuar ankesën e qytetarit i cili pretendon se është arrestuar dhe privuar nga liria në mënyrë të kundërligjshme nga zyrtaret e Policisë së Kosovës  respektivisht zyrtaret policor të Njësive të Specializuara” thuhet në përgjigjen e IPK-së për Insajderin.

Pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore paraprake nga hetuesit e IPK-së  në koordinim me Prokurorinë kompetente nga IPK është parashtruar kallëzim penal ndaj zyrtarëve policorë, Berat Haradinaj, Bastri Behrami dhe Istref Latifi.

Insajderi ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por edhe pse kanë kaluar shumë muaj nga ky rast, Prokuroria ende as nuk ka dalë me vendim për ngritje të aktakuzës, e as për mbyllje eventuale të rastit.

“Rastit të cilit ju keni referuar mund t’ju njoftojmë se aktualisht ndodhet në proces, në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për Insajderin.

Në Policinë e Kosovës nuk janë përgjigjur zyrtarisht, por jo zyrtarisht Insajderi merr vesh se ndaj të tre policëve, Berat Haradinaj, Bastri Behrami dhe Istref Latifi kishte filluar një procedurë e brendshme disiplinore, por ajo është pezulluar deri në përfundim të hetimeve nga Prokuroria.

Derisa Prokuroria po e zvarrit këtë rast me muaj të tërë, e njëjta Prokurori në koordinim me Gjykatën Themelore në Prishtinë kishte vepruar me shpejtësi kur në pyetje ishte favorizimi i deputetit të pushtetit, Haxhi Avdyli.

Vetëm dy ditë i janë dashur institucioneve të drejtësisë të marrin një vendim dënues ndaj sigurimit të një shkolle private, ku i përfshirë në rast ka qenë djali i deputetit të pushtetit Haxhi Avdyli. Rasti ishte raportuar në polici nga Haxhi Avdyli të hënën me 28 shkurt 2022, të njëjtën ditë sigurimi është arrestuar dy ditë pas, gjykata e dënoi atë me 550 euro gjobë.

Siç raportoi Insajderi, me 550 euro gjobë është dënuar Edmond Mirdita pasi u shpall fajtor për akuzën se me 24 shkurt të 2022-ës kishte sulmuar fizikisht të miturin A.A pasi i njëjti kishte tentuar të hynte pa leje në shkollën e mesme të mjekësisë “Rezonanca”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Mirdita në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, nga gjykatësi Selman Salihu.

Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit e bërë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 24 shkurt 2022, rreth orës 13:55 në Lipjan, në fshatin Konjuh në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, konkretisht në hyrjen e Shkollës së Mesme të mjekësisë “Rezonanca”, i pandehuri Edmond Mirdita si punëtor i sigurimit, për shkak të mosmarrëveshjes së atëçastshme me tani të dëmtuarin Y.A, i cili e kishte të ndaluar të hynte në shkollë sipas urdhrit të drejtorit të shkollës, me dashje ka përdorur forcën ndaj tij.

Sipas së njëjtës kërkesë, e ka kapur për fyti duke e mbështetur për dritare të objektit dhe e ka goditur me grusht në bark, por pa lëndime trupore.

Me këtë veprim ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).