E la Kosovën për Thaçin, Drenica: Pa çlirimtarët nuk po vjen pranvera e as nuk po çelin lulet

Nuredin Drenica deklaroi sot gjatë ditës se do të largohet nga Kosova për shkak se e sheh vendin të përçarë dhe pa çlirimtarët e UÇK-së. Ai në emisionin “Frontal”, në T7 ka thënë se aktualisht gjendet në Malmo të Suedisë dhe se nuk e ka ndërmend që të kthehet në Kosovë, deri në kthimin e çlirimtarëve, shkruan Ballkani.Info.

“Momentalisht jam në qytetin e Malmos të Suedisë. E kam thënë dhe nuk tërhiqem prapa. Unë e parashoh që Kosova është aty dhe e kam thënë sepse edhe pranvera është vonuar shumë dhe lulet nuk po qelin pa çlirimtarët tanë. Të qëndrojnë në Hagë, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati e Haradinaj në Hagë është një gjë që unë mendoj që është montim. Kjo për mu është më shumë se tmerr”, ka thënë ai.

Madje Drenica tha se me veti në Suedi e ka marr edhe dheun e Kosovës.

“E kam marr baltën e Kosovës me veti. Nuk e kam vërejtur. Njerëzit më shikonin. Por pa problem e kam marr baltën e vendit tim në Suedi. Unë nuk do të kthehem në Kosovë pa presidentin Thaçi, pa Kadri Veselin dhe  pa të tjerët”, ka deklaruar Drenica.

Më tutje ai tha se edhe më parë ka jetuar në Suedi, por që sipas tij për shkak të disa atentateve që i janë bërë në këtë shtet, ai e kishte zgjedhur Kosovën për të jetuar.

“Unë kam qenë edhe më parë në Suedi. Familjen e kam këtu. Unë kam pasur atentate të ndryshme në Suedi. E kam pasur një të tmerrshëm dhe e kam ndi veten të rrezikuar që të jetojë këtu,. Jam kthyer në Kosovë por nuk më doli mirë. Edhe pranvera u vonua e lulet nuk po çelin. Pa presidentin Thaçi nuk ka pranverë”, ka thënë ai.