Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar për herë të parë për darkën informale në Athinë që bëri bashkë liderët e Ballkanit dhe zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europia, por që Shqipëria u ftua në nivel Presidenti, jo kryeministri, megjithatë Bajram Begaj refuzoi të shkonte “për shkak të agjendës”.

Teksa thekson se nuk reagoi më herët pasi nuk donte të shqetësonte mikpritësin dhe të ftuarit e tij, “duke e shtuar zhurmën para të përfundonin punën e tyre”, Rama përmes një reagimi të gjatë në Twitter shton se “shpreson shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kishte parë darkën e përdorur sipas tij për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të takimit”.

Kreu i qeverisë shqiptare nuk e fsheh zhgënjimin kur thotë se në takimin informal në Athinë në vend të tij, siç ishte parashikuar, u ftua Presidenti Bajram Begaj e jo ai. Megjithatë teksa sjell në vëmendje Procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë në muajin Tetor, thotë se Kryeministri grek Mitsotakis është i ftuar si përfaqësues i Greqisë, dhe jo Presidentja e shtetit fqinj.

Ndër të tjera Rama shprehet se mes dy vendeve ka më shumë çështje dhe gjëra që i bashkojnë, se sa i ndajnë.