Gazetarja Arbana Xharra ka reaguar lidhur me referimin e Kosovës me fusnotë nga ish- kryediplomatja shqiptare, Majlinda Bregu.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Xharra ka shkruar se Bregu duhet të kërkojë falje për këtë, duke shtuar se ajo e ka bërë një veprim të tillë që t’i hyjë në qejf Vuçiqit.

Tutje, Xhara shtoi se tashmë është bllokuar në rrjetin social, Twitter nga sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.

“Zonja Bregu, në vend se të kërkojë falje se përdor fussnotën mbi emrin e Kosovës për t’i hy në qejf Vuçiçit dhe ish gjenocidashëve tjerë serb, ajo ma bën mua bllok -i duket më lirë ta fshijë një shqiptare të RK se sa të prishet me serbët”– është reagimi i Arbana Xharrës.

Ndryshe, ish-kryediplomatja shqiptare, iu referua Kosovës me fusnotë në një postim në rrjetin social, Twitter.

Pas kritikave që mori, se po zhvleftëson pavarësinë e Kosovës, sekretarja e RCC, Majlinda Bregu tha se ajo respekton rregullat, duke theksuar se për t’iu referuar me fusnotë e ka pranuar vetë Kosova.