Për disa ditë, një zyrtare e lartë amerikane e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), qëndroi në Kosovë. Pavarësisht se mori pjesë në disa ngjarje e zhvilloi takime me disa zyrtarë, duke përfshirë presidenten Vjosa Osmani, ajo s’u pa edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Ambasada amerikane në Kosovë, ka konfirmuar zyrtarisht për Nacionalen se ndihmës administratorja e USAID-it, Erin E. McKee nuk është takuar me Kurtin. Megjithatë, arsyet për mungesën e këtij takimi, nuk janë dhënë.

“Në funksion të rolit tonë, diplomatët takohen shpesh me përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile, media dhe publiku. Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Asistent Administratorja McKee theksoi prezencën 25-vjeçare të USAID-it në Kosovë dhe u takua me të rinj, gra ndërmarrëse, donatorë, media dhe përfaqësues të zgjedhur të qeverisë për të theksuar partneritetin e qëndrueshëm të USAID-it me popullin e Kosovës. Ndihmës Administratorja nuk u takua me Kryeministrin gjatë vizitës së saj.” – na tha një zëdhënës i Ambasadës Amerikane.