E konfirmon zyra e Kryeministrit: Hoti nesër takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti pritet që nesër të takohet me Presidentin francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar rreth rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Përmes një njoftimi për media nga zyra e Kryeministrit, thuhet se Hoti do të pritet nesër në Pallatin Elize në Paris.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij Avdullah Hoti do të udhëtojë sot për në Paris, ku nesër, më 7 korrik 2020, do të takohet me Presidentin e Republikës së Francës, Shkëlqesinë e tij Emmanuel Macron.

Pritja zyrtare që bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize (Palais de l’Elysée) në Paris, Pallati presidencial i Francës, tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”, thuhet në njoftimin për media.

Ndryshe, Gazeta Metro mbrëmë raportoi se ky takim pritet të mbahet si përgatitje për Samitin e Parisit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të mbahet në 10 Korrik në Paris.

Burimet e Metros tregojnë se Parisi dhe Berlini janë duke insistuar mbajtjen me çdo kusht të Samitit të Parisit i cili nënkupton edhe rifillimin zyrtar të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE’ja.

Gjithë këto takime dhe zhvillime në kuadër të rifillimit të dialogut po ndodhin vetëm pas dështimit të takimit të parapare në Shtëpinë e Bardhe në Uashington, i cili dështojë pas bërjes publike të inicimit të aktakuzave kundër Presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK, Kadri Veseli, shkruan Gazeta Metro.

Tani që Presidenti Thaçi është detyruar të tërhiqet nga puna aktive, duket se evropianet po nxitojnë ta shfrytëzojnë këtë vakum për të fuqizuar Hotin si përfaqësues i vetëm i Kosovës, përkundër faktit se udhëheq një Qeveri të dobët dhe nuk gëzon legjitimitet qytetar.

Kujtojmë se zyra e Prokurorit të Specializuar publikoi emrat e Thaçit e Veselit si të dyshuar për krime lufte, por jo edhe 9 personave të tjerë që u përmenden në njoftim.

Vlen të theksohet po ashtu se akuza nuk është proceduar dhe vulosur nga Gjykata Speciale.

Ndërsa, nga analistët vendorë e ndërkombëtarë është komentuar si ndërhyrje politike kundër bisedimeve në Shtëpinë Bardhë që pritej të fillonin më 27 qershor.