Kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas ka konfirmuar në Prishtinë se Bashkimi Evropian ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura para gati dy viteve.
Në një konferencë për media që po zhvillohet aktualisht, Kallas ka thënë se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kam takim edhe me liderët e partive politike. Ballkani Perëndimor është strategjik për BE-në. Projekti jonë më i madh gjeostrategjik, dhe personalisht për mua. Kosova e ka vendin në familjen evropiane, por s’ka rrugë të shkurtra për anëtarësim. Progresi vjen me reforma. Kosova duhet së pari të dorëzojë agjendën e reformave për GP dhe pastaj është në pozicion më të mirë për të përfituar. Por edhe i duhen institucionet funksionale për të implementuar reformave. Dhe inkurajoj të gjitha partitë që të zhbllokojnë situatën” – tha ajo, transmeton Nacionale.
Më pas, Kallas konfirmoi se BE-ja ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese.
Jam po ashtu këtu të dëgjoj dhe të kuptoj situatën e sigurisë në Kosovës. Prioriteti mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe jeni partner tanë të barabartë në tryezë. Normalizimi është e vetmja rrugë përpara. Stabiliteti varet nga dialogu dhe jo konfrontimi. BE ka nisur të heq masat gradualisht” – tha ajo.
Shefja e diplomacisë evropiane u pyet sërish rreth masave, ku e theksoi se është më rëndësi që njëkohësisht, mos të ketë eskalim të situatës në veri.
“BE ka nisur të heq masat, por mendoj se është e rëndësishme që në të njëjtën kohë nuk duam të shohim eskalim në veri. E them sepse personalisht jam angazhuar t’i bind vendet anëtare për heqjen e masave. Por disa thonë se Kosova duhet të mbështesë Marrëveshjen e Ohrit, dhe veprimt e e Qeverisë janë kundër kësaj. Së pari jemi të bëjmë hapat tonë, por me të vërtetë duhet të ketë deeskalim në veri” – u shpreh Kallas.
Gjatë ditës, ajo qëndroi në Beograd. Kallas atje nuk u përgjigj në një pyetje që iu bë nga gazetarët në rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ajo tha se nuk do të komentojë para se t’i zhvillojë takimet në Kosovë.
“Nga këtu do të udhëtojmë për në Kosovë, nuk do të komentoj rreth kësaj para se të diskutoj edhe atje dhe t’i adresoj të gjitha shqetësimet që kemi me ata. Kështu që, këtë do ta bëj atje” – tha ajo.







