Pas konfirmimit të vdekjes së Emiliano Salas, Ermir Lenjani e ka kujtuar atë përmes disa fotografive të postuara në llogarinë e tij në Instagram.

Lenjani kishte luajtur bashkë me sulmuesin argjentinas në Nantes për gjashtë muaj, para se të transferohej në Stade Rennais në vitin 2016.

Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.

Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.

Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe dje u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Sala. Pas këtij lajmi, rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhe pikëllimi dhe ngushëllimi.