Ka shkrepur 15 plumba në gruan 20 vjet më të re, Armendën, me të cilën po jetonte tash e sa kohë në Zvicër. Bajram Veliaj, 61 vjeçari nga Prizreni, pastaj i ka telefonuar vëllait dhe policisë për të treguar se e ka kryer krimin.

Gjithcka ndodhi pas një fjalosje derisa 42 vjeçarja po priste taksinë për t’u larguar nga shtëpia. Vëllai i Bajramit thotë se janë të shokuar nga ngjarja, ndërkohë që fqinjët kanë dhënë versionet e tyre se si e njohin çiftin.

Për rastin reaguan edhe krerët e shtetit përfshirë Kryeministrin Haradinaj pasi e viktima është nëna e këshilltares së tij Diellza Hotit. Express, ju sjellë rrëfimet e familjes, fqinjëve e prokurorisë për gjithë ngjarjen e rëndë.

E pritën me qejf muajin gusht për të ardhur në vendlindje. Erdhën të lumtur si krejt bashkatdhetarët e tjerë. Çifti Velija morën rrugë nga Zvicra për në Prizren gjatë muajit korrik. Një javë kaloi e qetë, derisa pushimi i tyre mori një kahe krejt tjetër, tragjike.

Një zënkë e ashpër në mes Bajramit dhe Armendës, shkoi aq larg sa askush nuk e priste. Bashkëshorti zgjodhi rrugën më të tmerrshme për ta ndaluar debatin me gruan e tij, atë të vrasjes. Me 15 plumba Bajram Velija shtiu mbi gruan Armenda Aliun – Veliajn me të cilën ishte i martuar që disa vite.

Gazeta Express sot gjatë gjithë ditës ka qëndruar në Prizren. Aty ku ka biseduar me familjarët e Bajramit që dyshohet se vrau gruan, me fqinjët si dhe me prokurorinë e Prizrenit.

Familja e të dyshuarit: Jemi të shokuar, nuk e dimë se çka ka ndodhur. Gruaja e tij ka qenë shumë e mirë

Të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë janë dy vëllezërit e Bajramit. Njëri nga ta ka treguar për Express se mbrëmë vëllai i tij e kishte thirrur atë në telefon. “E kam vra gruan”, tregon ai se i kishte thënë.

“Kurrë nuk e kisha mëndu që ka ndodhë kjo. Ne nuk jemi familje kriminele. Ka ndodhë ajo. Vllai mbrëmë më ka thirrur, më tha kështu. E vrava gruan. Unë nuk besoja. Thash nuk ka shanse me ndodhë”, tregon vëllai i të dyshuarit për vrasje.

Ai thotë se tashmë e ndjera në momentin kritik kishte qenë duke hipur në taksi. Njëri nga vëllezërit tregon se çifti mund të ketë pasur disa telashe me njëri-tjetrin.

“Ajo ka qenë duke hipur në taksti, edhe ka ndodhë. Ata kanë jetuar bashkë në Zvicër. Telashe familjare ka pasur. Rasti është nën hetime. Që vjen puna deri në këtë shkallë kurrë nuk e kisha besu”, rrëfen vëllai i Bajramit.

Ndërkohë njëri nga fqinjët e të dyshuarit ka thënë për Express, se Bajram Velija, kohëve të fundit kishte shfaqur shenja agresiviteti.

“Unë kam pas raporte të mira me të dyshuarin. Ky me fol shpirtnisht nuk ka qenë shumë i rehatshëm. E ka lëshuar gruan e tij, ajo është në Zvicër me dy fëmijë. Ka qenë më një grua tjetër. Tash është me një grua tjetër, nga Prishtina. Kjo që po dyshohet se e ka vrarë. Ajo grua ka qenë e mirë. Shpirt mirë. Ky u kanë çu peshë, për mexhë më ishte kapur njëherë”, ka thënë njëri nga fqinjët për Express.

Prokuroria kërkon një muaj paraburgim, thotë se i dyshuari ka heshtur

Por, mbrëmë pak pas orës 23:00, Bajram Velija pasi që kishte kryer krimin e rëndë, kishte telefonuar policinë. Edhe atyre, njëjtë si vëllait, u kishte thënë se e ka vrarë gruan e tij.

Por gjatë ditës së sotme para trupit hetues, 61-vjecari nuk kishte dashur që të deklarohet. Ai kishte zgjedhur që të mbrohet në heshtje. Prokurorja e rastit, t, Ervehe Gashi, ka thënë për Gazetën Express se i dyshuari nuk ka dashur që të jap deklaratë. Si ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje.

“I dyshuari është mbrojtur në heshtje. Ne si prokurori në bazë të fakteve dhe provave do të kërkojmë një muaj paraburgim për të”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkohë sipas prokurorisë, në vendin janë gjetur, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm me të cilët dyshohet të jetë kryer vepra. Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes janë sekuestruar:

Një pistoletë me nr. serik T0620 – 15k00074; – Dy karikatorë; si dhe 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.


Foto: I dyshuari Bajrami, viktima Armanda

Sipas Prokurorisë , pas verifikimeve të bëra në databazën e Prokurorisë, të njëjtit nuk kanë pasur ndonjë rast të paraqitur apo të raportuar për dhunë në familje apo rast të ngjashëm.

E ndjera, Armenda, kishte disa vite që po jetonte në Zvicër me Bajram Velijajn. Asaj vite më parë i kishte vdekur bashkëshorti me të cilin ka dy vajza.

Ndërkohë i dyshuari për vrasjen e saj-bashkëshorti, Bajram Velija kishte qenë i ndarë bashkëshortja e tij e parë. Me të kishte pasur fëmijë.

loading…