E infektuara e fundit nga Suhareka, familjare e 69 vjeçarit që vdiq dje nga COVID-19

Sot më 15 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 173 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, pozitiv sot janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e gjashtë (36) raste.

Sipas IKSHPK-së, të gjitha këto janë raste kontakti, ndërsa gjithashtu sot u shënua edhe viktima e 9-të nga ky virus.

Bëhet fjalë për një 69 vjeçar nga fshati Semetishtë i Suharekës, i konfirmuar me COVID-19 me datë 11.04.2020.

Pacienti sipas IKPSHPK-së është hospitalizuar në gjendje të rëndë me datë 10.04.2020 dhe ka patur sëmundje shoqëruese kardiake.

Ndërsa, po sot një person ka rezultuar pozitiv me COVID19 në të njëjtin fshat.

Burime të Indeksonline mësojnë se është pikërisht kontakt i viktimës, e që bëhet fjalë për një familjare të tij, saktësisht për nusen e motrës së 69 vjeçarit.

Kujtojmë që, numri i të infektuarve në Kosovë ka shkuar në 423, ndërsa i atyre të shëruarve në 71.