E huqin ambasadorët e shteteve të Kuintit, nuk e dinë që NATO-ja intervenoi pas dështimit të Rambujesë

Ambasadorët e ShBA-së, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë përmes një deklarate të përbashkët kanë përkujtuar 21 vjetorin e Masakrës së Reçakut, duke thënë që kjo masakër bëri që NATO-ja të ndërhyjë në Kosovë. “Njëzet e një vjet më parë, masakra që ndodhi në Reçak përfundimisht bëri që aleatët e NATO-s të ndërhyjnë dhe t’i japin fund një katastrofë humanitare”, thuhet në deklaratën e tyre.

Por, bombardimet 78 ditëshe të NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë, erdhën jo pas masakrës së Reçakut, por dy muaj më pas kur dështoi Konferenca e Rambujesë.

Madje edhe marrëveshja e propozuar në Rambuje, të cilën nuk e pranoi pala serbe, më shumë se propozim i pranueshëm ishte ultimatum i ashpër dhe kjo kishte ngritur dyshimet se NATO-ja po kërkonte një pretekst për të sulmuar ushtarakisht Jugosllavinë, shkruan Ballkani.info.

Më 24 mars 1999, Aleanca më e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës, kur këtij i kanosej gjenocidi dhe zhbërja fizike, filloi sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë dhe në Serbi. Propaganda serbe është munduar gjatë gjithë këtyre viteve të manipulojë dhe reduktoi krimet e veta, duke thënë se masakra e Reçakut ishte inskenuar për të nxitur sulmet e NATO-s, por e gjitha bota e dinë të vërtetën e krimeve makabre të policisë dhe ushtrisë serbe.

Por, përkundër huqjeve të vogla, deklarata e ambasadorëve të Kuintit ku i bëjnë thirrje Qeverisë së Serbisë që t’iu sigurojë qasje të plotë familjeve në drejtësi dhe informatat në fatin e viktimave, ndonëse e vonuar, gjithsesi se është shumë e duhur. /Ballkani.info/