E FUNDIT| MPJD thotë se Këshilli i Evropës ka diskutuar sot për anëtarësimin e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se Këshilli i Evropës ka nisur diskutimin për aplikimin e shtetit kosovar që të bëhet anëtar i këtij institucioni.

MPJD përmes një komunikate të shpërndarë në rrjetin social Twitter, ka thënë se Kosova ka qenë çështje e diskutimit e Ministrave të Komitetit sot në Torino të Italisë.

Gërvalla përmes kësaj komunikate, ka thënë se deklaratat që u bënë sot në takimin mes ministrave, kanë treguar mbështetje për këtë qëllim të Kosovës.

“Kosova do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme gjatë javëve dhe muajve në vazhdim që të plotësojë qëllimet e qytetarëve të saj që shteti të pranohet nga Këshilli i Evropës si pjesëtar i plotë i kësaj familje evropiane”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë çështje, në takim ka folur edhe ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock në takimin e së premtes të Komiteti të Ministrave të Këshillit të Evropës, ka thënë se vizita e saj në Ballkanin Perëndimor e bëri të qartë se duhet të intensifikohet bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor.

Kështu, ajo ka thënë se kjo është arsyeja pse Gjermania mbështet Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

“Vizita ime në Ballkanin Perëndimor më bëri të qartë – Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin me këto shtete në këtë moment vendimtar. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj për t’iu bashkuar familjes së Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

Ministrja gjermane tregon arsyen pse Gjermania po e mbështet Kosovën për anëtarësim në KiE – Ballkani.info

Kosova, ditë më parë aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Gjermania e Britania e Madhe e kanë mbështetur fuqishëm vendin në këtë proces, ndërsa Franca nuk e ka treguar plotësisht qëndrimin e saj.