E ekzekutuan në pragun e shtëpisë, dëshmitarët flasin për vrasjen e shqiptarit në Berlin

Gazeta gjermane “Bild” ka nxjerrë të tjera detaje në lidhje me ekzekutimin e 47 vjeçarit shqiptar në pragun e derës së shtëpisë së tij në Berlin.

Blendi G. Po i drejtohej shtëpisë së tij pas një dite pune të lodhshme kur para tij kanë dalë tre persona të veshur me të bardha. Njëri prej tyre e ka qëlluar me disa plumba në trup duke e lënë të vdekur në trotuar. 47 vjeçari ishte baba i dy fëmijëve, një vajze 6 vjeçare dhe një djali 14 vjeçar.

“Bild” shkruan se njëri prej dëshmitarëve të ngjarjes ka parë skenën dhe ka shkuar në ndihmë të shqiptarit. Dëshmitari thotë se ka dëgjuar 3-4 të shtëna.

“Ai mori frymë dy tre herë dhe më pas pushoi (vdiq). S’mund të bëja asgjë”- shprehet një nga dëshmitarët që i shkoi në ndihmë Blendit.

Arsyeja që qëndron prapa vrasjes së 47 vjeçarit mbetet ende një mister i pazgjidhur. Ditën e djeshme media gjermane informoi gjithashtu dhe faktin se personi që qëlloi 47 vjeçarin, një 60 vjeçar i dyshuar me origjinë gjithashtu shqiptare, më pas qëlloi mbi veten me armën e përdorur dhe vdiq në spital. Dy personat e tjerë që e shoqëronin ende nuk janë gjetur.

Një mik i Blendit i tha “BILD” se ai ishte një njeri familjar, i qetë dhe pak i interesuar për të patur kontakte me të tjerë shqiptarë.

“S’mund ta shpjegoj arsyen se pse ai u vra”- u shpreh miku i 47 vjeçarit.

Blendi G ishte një roje sigurie në një dyqan të firmës “Boss” në Berlin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës.