Personat që kanë vdekur të vetmuar në shtëpi nga koronavirusi gjatë pandemisë nuk janë gjetur deri në dy javë, kanë thënë mjekët që i kanë hulumtuar këto raste.
Viktimat janë gjetur vetëm pasi një i afërm, mik apo fqinj e ka ngritur alarmin dhe në shumë raste, personat e vdekur kanë qëndruar të pazbuluar për një kohë aq të gjatë, saqë trupat e tyre kishin filluar të dekompozoheshin.
Aktivistët për mbrojtjen e personave të moshuar thanë se ky fenomen e vë në pah dobësinë e pleqve të izoluar që jetojnë të vetmuar dhe që kanë pak përkrahje familjare, shkruan “The Guardian”.
“Njerëzit kanë qëndruar të shtrirë gjatë pandemisë nga shtatë deri në 14 ditë”, tha Dr. Mike Osborn, patolog në Londër dhe shef i Komisionit për Hetimin e Vdekjeve në Kolegjin Mbretëror të Patologëve.
“Kam parë shumë raste të tilla, ku trupat janë dekompozuar”, tha ai, duke shtuar se dekompozimi e bën më të vështirë zbulimin e shkaktarit të vdekjes.
Sidoqoftë, nuk dihet saktësisht sa njerëz kanë vdekur të vetmuar në shtëpi dhe që nuk janë gjetur për disa ditë. Përpos personave të moshuar, në këto raste kanë qenë të përfshirë edhe personat me probleme mendore dhe ata që kishin pengesa në të nxënë. Disa të tjerë besohet të kenë qenë përdorues të drogës, alkoolit apo të dyjave njëkohësisht.







