Gjilan

E dërgoi në motele, pastaj në ordinancë për të abortuar, detaje se si u dhunua e mitura në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Sh. J i cili dyshohet se dhunoi seksualisht një të mitur në Gjilan,

Sipas aktakuzës, SH.J e kishte dërguar të miturën në motele të ndryshme duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale dhe si pasojë e mitura kishte mbetur shtatëzënë.

Pas motelit, SH.J e kishte dërguar të miturën në ordinancë private ku e kishte detyruar të abortonte.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “dhunimi”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që duke marrë bazë edhe rrezikshmërinë e kësaj vepre, pasojat të cilat i janë shkaktuar të miturës, si dhe ambientit dhe kushtet në të cilat jeton i pandehuri, të gjitha këto japin arsye për të besuar se me gjetjen e tij në liri mund të përsërisë veprën penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.