E bujshme: Ruzhdi Shehu arrin zyrtarisht koalicion me VV-në në Junik

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu ka njoftuar se ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo marrëveshje nënkupton se në balotazhin e 14 nëntorit, VV-ja do ta mbështesë Shehun në garën kundër Agron Kuçit të AAK-së.

Njëherit ky është koalicioni i parë zyrtar për balotazh i nënshkruar edhe në nivel vendi.

Njoftimi i plotë i Shehut:

Të dashur junikas,

LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës.

Ky moment është historik për Junikun sepse fitorja jonë me 14 nëntor dhe ndryshimi pas 12 viteve në Junik është i pandalshëm.

Të bashkuar me Vetëvendosjen në Junik, tanimë kemi shumicën e anëtarëve në Kuvendin Komunal të Junikut (9 nga 15 ose 60% e ulëseve në Kuvendin e Junikut). Padyshim që do të kemi edhe përkrahjen e nevojshme nga Qeveria e Kosovës për të realizuar projektet tona zhvillimore për Junikun. Kur kësaj i shtojmë edhe mbështetjen pa rezervë që kemi nga mërgata e Junikut, nuk mbetet asnë dilemë se me 14 nëntor do të konfirmohet fitorja jonë në Komunën e Junikut.

Ju ftoj që në vijim të ndjekni disa pamje nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit në mes të LDK dhe LVV në Junik.

R.SH