E përditshmja spanjolle, AS, e ka tronditur botën e futbollit në Angli me pretendimet se Manchester Unitedi është i interesuar ta transferojë yllin e Liverpoolit, Mohamed Salah, gjatë afatit kalimtar të verës.

Sulmuesi egjiptian nuk pranoi ta përjashtojë mundësinë e largimit nga Anfield, pas triumfit të Liverpoolit me rezultat 2-0 kundër Tottenhamit, në finale të Ligës së Kampionëve.

Real Madridi besohej se është i vetmi klub që kishte shprehur interesim për Salah së fundi, mirëpo AS pretendon se Real Madridit po i bëjnë garë Manchester Unitedi dhe Bayern Munichu.

Trajneri i “Djajve të kuq”, Ole Gunnar Solskjaer, e dëshiron me ngulm një lojtar që mund ta ringjallë sulmin e skuadrës së tij dhe dy herë fituesi i Këpucës së Artë në Premierligë do t’ia garantonte këtë gjë norvegjezit.

Por, transferimi i Salah në Old Trafford nuk besohet se është shumë i mundshëm për shkak të rivalitetit mes dy klubeve. Hera e fundit që një lojtar ka kaluar nga Manchester United në Liverpool drejtpërdrejt, apo anasjelltas, është në vitin 1964.

Destinacioni më i mundshëm për Salah, nëse ai me të vërtetë dëshiron të largohet nga Anfieldi, besohet se është Real Madridi.