Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka folur për herë të parë pas ngritjes së Aktakuzës nga Prokuroria Speciale, në rastin e rezervave shtetërore dhe dëmin buxhetit të Kosovës afro 3 milionë euro. Ajo thotë se ‘është ruajtur siguria kombëtare’ në rastin e rezervave shtetërore.
“Qeveria jonë kishte bërë transparente veprimin e vetë, me qëllim furnizimin e rezervave shtetërore. Përgjatë qeverisjes tonë, pra qeverisjes së udhëhequr nga LVV, rezervat shtetërore janë tridhjetëfishuar në dy vite”, ka thënë Hajdari.
Ajo ka sulmuar Prokurorinë Speciale dhe prokurorin Valdet Gashi.
“Për më shumë kjo është ndryshim nga qeverisjet e kaluara, ku rezervën shtetërore e gjetëm të vjedhur. Cdo pretendim i Prokurorisë se vendimi është i kundërligjshëm nuk qëndron, por afirmon tendencën politike të kësaj Prokurorie Speciale ndaj Qeverisë Kurti.
Më tutje, vlen të theksohet, përtej çdo ndryshimi se rezervat shtetërore janë sekret shtetëror sipas ligjeve në fuqi sepse vec tjerash Ligji e parasheh këtë.
Çdo prtendim tjetër është në dobi politike që është plotësisht i palejueshëm dhe i pamoralshëm, marrë parasysh situatën në të cilën ishim në vitet 2022.
Provat e ashtuquajtura të Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtëligjshëm, përmes hetuesve të dërguar nga prokurori Valdet Gashi që ka dërguar policët hetues në Ministri, pa leje të sigurisë. Ata morën materialin brenda një orë në MINT”, tha Hajdari.







