Dyshohet se rrahën një person në Vushtrri, IPK kërkon suspendimin e dy policëve

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy policëve, pasi të njëjtit dyshohet se i kanë shkaktuar lëndime trupore dikuj jashtë detyrës zyrtare në një fshat të Vushtrrisë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë IPK-ja nëpërmjet një komunikate për media, duke njoftuar se ankuesi është intervistuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë. Informatat e para për këtë rast IPK i ka pranuar nga policia lidhur me dyshimin se dy zyrtarë policorë (jashtë detyrës zyrtare) janë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale lëndim i lehtë trupor”, thuhet në komunikatë.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, përfundon komunikata.