Dyshohet se regjistroi prona pa i verifikuar kriteret, kërkohet paraburgim ndaj zyrtarit të komunës të Prishtinës

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit R.M., në drejtim të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Prishtinës, ka keqpërdorë detyrën zyrtare, duke regjistruar persona në sistemin elektronik të gjendjes civile, ashtu që ka tejkaluar kompetencat e tij.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh nga data 05.07.2022.

Ndryshe, zyrtari komunal dyshohet se ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë (identitet të Kosovës dhe të një shteti fqinj).

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht: një telefon celular; 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm; një karikator i armës; dokumente të ndryshme, certifikata, vërtetime të regjistrimit, foto të librave amzë dhe dokumente të tjera të personave të ndryshëm”, thuhet tutje në njoftim.