Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë, pas pranimit të informacioneve relevante, hetimeve disa javore të kryera me sukses dhe bashkëpunimi aktiv me qytetarët, ka realizuar sot një operacion policor të koduar me emrin ‘Poliklinika’ dhe si rezultat kanë arrestuar 2 persona të dyshuar.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka treguar detajet e ngjarjes.

Sipas Hoxhës, dy personat e arrestuar janë një mashkull shtetas i Kosovës dhe një femër serbe.

“Personat e arrestuar, dyshohet se kanë kryer veprat penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, “Mashtrim” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme” të specifikuara me kodin penal te RKS-së, duke keqpërdorur dokumente dhe diploma me qëllim që poliklinikën t’a Licencojnë në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë Hoxha, përcjell Ballkani.info.

Policia e Kosovës ka lëshuar edhe një komunikatë për media, ku thuhet se me urdhër të prokurorit, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe po punon me përkushtim dhe intensitet në luftimin e dukurive negative dhe veprave penale në përgjithësi të cilat në çfarëdo forme cenojnë integritetin e qytetarëve tanë dhe kryesit e këtyre veprave penale te dalin para organeve të drejtësisë”, thuhet në fund në raportin e Policisë. /Ballkani.info