Ekzistojnë dyshime nga biznese të ndryshme se Gjykata Komerciale vendos në favor të agjencive qeveritare, kur ato janë në kontest me kompanitë private. Këto shqetësime i kanë ngritur vetë kompanitë private duke aluduar mbi “presione politike”, si dhe përmendin edhe “zvarritje të qëllimshme” ndaj rasteve që janë të përfshira dhe shtyrje të vendimeve të arbitrazheve. Për këto shqetësime është në dijeni edhe Klubi i Biznesit.
Lidhur me këtë temë është intervistuar nga Gazeta Express, Drejtori menaxhues i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi. Ai thotë se institucioni që ai udhëheq ka marrë shqetësime nga anëtarët që operojnë në Kosovë dhe nga ata që e shikojnë mundësinë për të investuar në vendin tonë. I njëjti vlerëson se në një mjedis të tillë nuk mund të tërheqësh investitorë të huaj dhe si rrjedhojë largohen edhe vendorët.
Ilir Ibrahimi, kur flet mbi dyshimet për anshmërinë e Komerciales, bazohet në raportet ndërkombëtare të cilat kanë theksuar ndikimet politike në sistemin gjyqësor.
“Raporte kredibile ndërkombëtare kanë theksuar ndikimet politike në gjyqësor si një shqetësim. Gjykatat duhet të jenë arbitri i pavarur ndërmjet palëve, edhe kur njëra palë është një agjenci qeveritare. Fatkeqësisht, vazhdojmë të shohim një lloj anshmërie kur kontesti është ndërmjet qeverisë dhe një kompanie private. Kjo është shumë e dëmshme për biznesin pasi ai mbetet pa mbrojtje dhe kjo ndikon në ekonominë e vendit”, shprehet Ibrahimi.
Ai thekson se shqetësime të kësaj natyre ka pranuar Klubi i Biznesit në vazhdimësi.
“Siguria dhe paanshmëria juridike janë parakushte për ekonomi të qëndrueshme dhe për investitorët, qoftë të brendshëm apo të jashtëm. Klubi i Biznesit ka marrë kësi shqetësimesh vazhdimisht, nga anëtarët që operojnë në Kosovë dhe nga ata që shikojnë mundësi për të investuar në Kosovë”, thotë ai.







