Dyshime për keqpërdorime me fonde, a do ta padisë Qeverinë e Kosovës Shqiprim Arifi

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka treguar në emisionin DPT te Fidani në T7 se ka dyshime që janë keqpërdorur fondet e deleguara nga qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës.

Arifi hedh fajin tek kundërshtarët e tij politikë në Preshevë për keqpërdorime me këto fonde. Në komunën e Preshevës ekziston një beteje politike mes Shqiprim Arifit në një anë dhe ish-kryetares Ardita Sinanit, deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe Ragmi Msutafit, ish-kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë.

Ardita Sinani është këshilltare e Albin Kurtit tani. Para disa muajve Kurti kishte kërkuar nga Arifi që të mos e rrëzonte Sinanin nga pozita e kryetares së Preshevës, kërkesë të cilën Arifi nuk e pranoi.

Arifi thotë se bëhet fjalë për keqpërdorim të fondeve të dërguara nga Qeveria e Kosovës. Ai thotë se fondet janë dërguar në shoqata fiktive që kanë lidhje me Kamberin, Sinanin e Mustafin.  

“Nga qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës. Aty brenda janë Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ilir Kapiti që është ambasador në Britaninë e Madhe. Kështu që në këtë formë nuk bëhet fjalë për padi ndaj Albinit, apo diçka të tillë, kjo nuk është diçka për ego. E kam bërë për njerëzit e Kosovës të cilët me taksat e tyre kanë dashur të ndihmojnë. Paratë e tyre janë keqpërdorur. Një inskenim. Ka të bëjë me keqpërdorim të fondeve të ndara nga Qeveria e Kosovës ndaj Luginës së Preshevës. Normalisht Ilir Kapiti ka qenë kryetar i komisionit dhe ai duhet të paditet”, tha ai.

 “Qytetarët dhe shoqatat tjera na kanë sjellë informacione. Ideja ka qenë të subvencionohet shoqëria. Shoqatat kanë qenë fantome dhe fiktive. Kanë qenë të lidhura me Shaip Kamberin, ose Ardita Sinanin ose Ragmi Mustafa. Kanë edhe lidhje gjaku. Shuma është afro 3 milionë euro”, shtoi Arifi.