Dy vëllezër dhunojnë keq vjehrrin e motrës së tyre dhe shkojnë të marrin armën, policia parandalon vrasjen

2 vëllezër në Lezhë kanë ushtruar dhunë ndaj vjehrrit të motrës së tyre dhe më pas tentuan të merrnin armën e zjarrit në banesën e babait të tyre, por policia ka parandaluar një vrasje të mundshme. Sipas njoftimit të policisë së Lezhës Elton dhe Ardit Keçani janë vënë në pranga pasi kanë dhunuar 53-vjeçarin.

Në pranga ka rënë edhe dhe babai i tyre Lazër, pasi shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.


“Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit L. K. (babai i dy vëllezërve), ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik me fishek në fole dhe 90 fishekë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestuan në flagrancë shtetasit: L. K., 57 vjeç, E. K., 29 vjeç dhe A. K., 27 vjeç, banues në Lezhë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe ‘Dhuna në familje’”, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës.