Dy vdekje brenda 24 orëve në Deçan, Vitia thotë se s’kanë lidhje me helmimet

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se dy vdekjet e regjistruara në 24 orët e fundit në Deçan s’kanë lidhje me helmimet e fundit që kanë ndodhur në këtë rajon.

Ai ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, derisa ka shtuar se bashkë me kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj dhe drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi kanë hartuar një listë barnash që do të trajtohet me prioritet.

“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësues. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim”, ka thënë Vitia.

Për media është deklaruar edhe Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Ai ka thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji.

“Megjithatë kjo s’do të thotë që s’mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza përmanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, ka thënë Ramadani.

Ndryshe, dy raste të vdekjeve të dyshimta janë regjistruar në 24 orët e fundit në Deçan.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka deklaruar se prokurori ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi për Klanin.

Të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.