Chelsea duhet të kthejë vëmendjen te sezoni e ardhshëm. “Blutë” e Londrës do ta mbyllin pa asnjë trofe vitin e parë të me pronarin e ri, Todd Boehly, i cili po lufton me kohën për të mbyllur marrëveshjen me Mauricio Pochettinon.

Chelsea, i njëmbëdhjeti në Premier, ka edhe shtatë ndeshje për të zhvilluar në kampionat, por nuk mund të arrijë asnjë objektiv. Dhe sërish ka lajme negative për klubin londinez.

Reece James dhe Mason Mount, të lënduar, nuk do të luajnë më për pjesën e mbetur të sezonit.

“Reece nuk do të jetë i disponueshëm për pjesën e mbetur të sezonit, gjithashtu edhe Mason,” e pranoi me hidhërim Frank Lampard.

James u lëndua në çerekfinalen e Champions League kundër Realit të Madridit. Ai vuan nga një dhimbje e kërdhokullës (pjesë legenit).

Nga ana tjetër, Mount i është nënshtruar një operacioni për të zgjidhur një problem abdominal që e ka shqetësuar gjatë këtij sezoni.

Në rastin e Mount, mund ta ketë mbyllur përfundimisht me Chelsea-n.

I rritur në akademinë e Chelsea-t, ai vazhdon pa e rinovuar kontratën, që i përfundon në vitin 2024.

Nuk mungojnë klubet e mëdha që interesohen për të. Sidomos në Angli, ku në krye të listës është Liverpoolin.