RMV

Dy të plagosurit në Haraçinë jashtë rrezikut për jetën

Dy personat që u plagosën në komunën e Haraçinës në Maqedoninë Veriore këtë të hënë, janë jashtë rrezikut për jetën, ka deklaruar drejtori i Klinikës për Kirurgji Torakale, Nexhati Jakupi për Klan Macedonia.

“Bëhet fjalë për pacientin 21 vjeçar me plagë të marra nga arma e zjarrit në pjesën e djathtë të kraharorit. Wshtë bërë intervenim i gjerë kirurgjik pasi ka pasur plagë dhe dëmtime edhe në pjesën e sipërme të mushkërisë. Pacienti erdhi me gjendje shokuese, por për momentin gjendja i është stabilizuar, natën do ta kalojë nën kujdesin intensivë”, tha Jakupi.

Po ashtu me lëndime më të lehta ka kaluar vozitësi i kryetarit të Komunës së Haraçinës i cili është dërguar për mjekim në Klinikën “Shën Naumi i Ohrit”.

Nga atje kanë thënë se pacienti 39 vjeçar me plagë nga arma e zjarrit në shpatullën e djathtë, është pranuar rreth orës 14.00 dhe se gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Mediat maqedonase kanë raportuar se cak i sulmit ka qenë kryetari i kësaj komune Ridvan Ibrahimi.

Sulmi ka ndodhur përderisa Ibrahimi ka qenë duke inspektuar punimet për rregullimin e trotuareve në një ndër rrugët kyçe të Haraçinës, kur dy persona kanë hapur zjarr ndaj tij dhe ekipit shoqërues.

Ndërkaq të dyshuarit tashmë janë identifikuar nga organet e rendit, por vazhdojnë të jenë në arrati, derisa njëri nga ta më herët në disa raste e kishte kërcënuar, madje e kishte sulmuar fizikisht kryetarin e Haraçinës.

Ndryshe, Ibrahimi raportohet se ka qenë cak i sulmeve disa herë. Rastet ai i ka paraqitur edhe në Prokurori.

VIDEO BONUS: