Të hënën në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës i nivelit të lartë midis Kosovës dhe Serbisë, ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq janë pajtuar për planin evropian, ku parashihet edhe edhe rregullimi i statusit të Kishës Serbe.
Pika e shtatë e këtij plani thotë se të dyja palët duhet të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike në përputhje me kriteret e Këshillit të Evropës dhe praktikave evropiane sa i përket nivelit të vetë-menaxhimit për komunitetin serb dhe për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili vitin e kaluar ka nënshkruar një marrëveshje kontroverse me Kishën Ortodokse Serbe. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Ortodoke Serbe, u shkarkua nga Parlamenti i Malit të Zi, shkruan Demokracia.com.
Duket se Kurti po merr mësim se si ta forcojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Abazoviq pas këtij takimi tha se me Kurtin kanë diskutuar për lidhjen infrastrukturore, ide të reja dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.
“Mali i Zi ofron mbështetjen e tij të plotë për një zgjidhje të përhershme për rajonin. Me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot fola për lidhjen tonë më të mirë infrastrukturore, idetë e reja dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ne vazhdojmë të trashëgojmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, ka shkruar kryeministri malazez në Facebook
Ndryshe, në gusht të vitit 2022, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka nënshkruar një marrëveshje kontroverse me Kishën Ortodokse Serbe.
Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Abazoviqit dhe patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq u firmos në vilën shtetërore Gorica, nën masa të rrepta sigurie, pa njoftim paraprak dhe pa praninë e gazetarëve.
Çështja është bërë objekt konfliktesh brenda qeverisë së Abazoviq dhe mes anëtarëve të shumicës qeverisëse. Një pjesë e mazhorancës, DPS dhe Partia Socialdemokrate, njoftuan se ujdia ishte kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk ishte në pajtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me ligjet malazeze.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore e para reagoi Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit, e cila njoftoi se do të ndërmarrë nismën për votëbesimin e Qeverisë së Dritan Abazoviqit. Kështu edhe ndodhi, Abazoviqi u shkarkua nga deputetët e Gjukanoviqit dhe aktualisht është kryeministër në detyrë.
Marrëveshja themelore që rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kishës Serbe dhe shtetit të Malit të Zi parashikon një sërë detyrimesh të shtetit ndaj kishës. Ajo i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.







