“Dy persona kanë votuar përmes telefonit”, deputetja e AAK-së thotë se për Blerim Rekën është shkelur rregullorja e Kuvendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka thënë se dy deputetë e kanë votuar përmes telefonit rekomandimin që Blerim Reka të emërohet Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York.

Kadriaj ka thënë se kjo praktikë e shkelë ligjin dhe rregulloren e Kuvendit të Kosovës, sepse një deputet nuk mund të votojë pa qenë i pranishëm në Kuvend, përcjell Demokracia.com.

“Kryetar i Kuvendit e kam ngritur një shqetësim për zgjedhjen e Konsullit të Përgjithshëm në New York, me mosprezencë të deputetëve në sallën ku është mbajtur mbledhja e Komisionit. Unë pres një reflektim se ai vendim duhet të bie poshtë dhe të thirret mbledhje tjetër e Komisionit, sepse prej shtëpisë nuk mundet me dhënë një verdikt. A mundemi ne sot që një deputet, i cili nuk është në sallën plenare me e thirr në shpi, me na e dhënë ndonjë konfirmim a po voton apo jo? Nuk është në rregulloren e Kuvendit. Kjo është një shkelje puro. Ndalni këto shkelje ligjore që po i bëni në vazhdimësi”, tha ajo në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Kadriaj e ka pyetur kryeparlamentarin Glauk Konjufca a ka ndonjë vendim të Kryesisë për këtë çështje?

“A keni ndonjë vendim si Kryesi e Kuvendit? Apo është një praktikë që z.Haki Abazi e ka shpikë vetë, sepse është kundër rregullores së Kuvendit, sepse nuk ka nevojë të votojë një deputet kur nuk është në sallë”, tha ajo, përcjell Demokracia.com.

Ndërsa, Konjufca ka refuzuar ta komentojë këtë çështje.

“Kemi dalë jashtë temës pak”, tha ai dhe vazhdoi me seancën.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, e ka konfirmuar se deputetja Adelina Grainca e ka dhënë votën e saj online.

“Është hera e dytë që Time Kadriaj përdorë foltoren, të drejtën e fjalës për ta akuzuar punën e Komisionit për Punë të Jashtme. Atë që dua të them është që në komision, sipas praktikës shefi i Misionit në New York është intervistuar në prani të deputetëve të pozitës dhe opozitës, me një përjashtim të zonjës Adelina Grainca, e cila ka lindur dy binjakë dhe ka qenë e pamundur që të jetë fizikisht në takim, por është paraqitur nëpërmjet lidhjes online, e cila po ashtu ka votuar për shefin e misionit. Kjo e gjitha është rekorduar sipas procedurave dhe praktikave të funksionimit të Komisionit. Do të ishte mirë që zonja Kadriaj të mbetet pjesë e Komisionit, por ajo me vullnetin e saj e ka lëshuar takimin atë ditë dhe nuk ka qenë pjesë e Komisionit. Rrjedhimisht, sulmi mbi punën e komisionit është i paqëndrueshëm dhe nuk ka asnjë bazë”, tha Abazi.

Pas kësaj reagoi sërish Kadriaj, duke thënë se dy deputetë e kanë votuar Rekën përmes telefonit.

“Unë kam kërkuar prej juve se me çfarë të drejte. Nuk ka lidhje emri i kujt është, por dy persona kanë votuar përmes telefonit. A kemi të drejtë që me qenë në shtëpi ose pushime dhe me i thirr deputetët në telefon me të thonë a e konfirmon?”, pyeti Kadriaj. /Demokracia.com/