Dy pasoja që mund t’i ketë Kosova nëse vendoset KFOR-i në pikat kufitare në veri, sipas Hasanit

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori universitar, Enver Hasani thotë se propozimi për vendosjen e KFOR-it në pikat e kufirit në veri të vendit nuk është i mirëmenduar.

Sipas Hasanit, kjo ka dy pasoja.

“Kjo nënkupton që KFOR po merr juridiksionin e autoriteteve të shtetit të Kosovës. Kjo ka dy pasoja: e para, i jep KFOR-it një mandat të sigurisë, pra jo mandat ushtarak, që u takon autoriteteve policore kosovare; dhe, e dyta, shtyen formimin e Ushtrisë së Kosovës sepse me këtë Kosova po tregon që nuk ka kapacitete për të ndërtuar struktura ushtarake neutrale dhe të besueshme sipas standardeve të NATO-s”, tha Hasani në një përgjigje për Kallxo.

Hasani thotë se KFOR-i është këtu si  “respondent i fundit në rast të çrregullimeve radikale shoqërore që rrezikojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe më gjërë”, ndërsa shton se organet e shtetit duhet të kujdesen për sigurinë në Kosovë.

“KFOR në Kosovë vepron sipas kërkesës shprehimore të autoriteteve të Kosovës. Kjo siç po ndodh tani nuk ka fare të bëjë me këtë mandat të KFOR-it, por me rikthimin e mandatit parësor të tij në një mandat që u takon organeve të sigurisë së Kosovës”, vlerësoi Hasani.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar se me palën serbe janë dakorduar për një draft marrëveshje, megjithatë mbetet të shihet nëse do të ketë pajtim final edhe nga Serbia meqë Beogradi nuk ka pranuar një prej paragrafëve të draft marrëveshjes.

Bislimi ka treguar se pika e tretë në këtë draft marrëveshje është për heqjen e barrikadave. Ai ka thënë se nëse Serbia e nënshkruan përfundimisht marrëveshjen, atëherë KFOR-i të shtunën do të vendoset në dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ndërkohë Policia e Kosovës pas disa orëve do të përcjellë shtesnionimin e situatës me fillimin e largimit të barrikadave.