Dy orë e gjysmë që kur ka nisur, vazhdon mbledhja e Kryesisë së LDK-së

Që gati dy orë, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës po mban mbledhje në selinë qendrore të partisë.

Në këtë mbledhje pritet të merret një vendim lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, pozitë të cilën e synon Vjosa Osmani, e cila doli nga LDK-ja për të fituar më pas në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku garoi së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë ish-rivalit të saj politik, Albin Kurti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është takuar së paku dy herë me Vjosa Osmanin për ta diskutuar mundësinë që deputetët e kësaj partie ta mbështesin atë për t’u zgjedhur presidente.

Osmanit i nevojitet patjetër mbështetja e ish-partisë së saj për ta marrë pozitën e shefes së shtetit, pasi që dy partitë tjera opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, janë deklaruar hapur se nuk do ta bëjnë këtë.

Për këtë LDK-ja do të vendos sot në mbledhjen e Kryesisë, jashtë së cilës u lanë zyrtarë të lartë të partisë si Agim Veliu e Driton Selmanaj, që konsideroheshin si ‘armiqtë’ më të mëdhenj të Osmanit dhe fajtorë për rezultatin më të dobët ndonjëherë që partia e mori në zgjedhjet e 14 shkurtit. Veliu e Selmanaj, por edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, të cilët janë zgjedhur deputetë, vështirë se do të votojnë për Vjosa Osmanin për presidente. Ata mendojnë se Osmani kishte bërë gabim duke i kundërshtuar vazhdimisht vendimet e partisë nën udhëheqjen e Isa Mustafës.