Kryeministri i Kosovës

Dy muaj para nisjes së regjistrimit të popullsisë Kurti viziton ASK-në

Kryeministri, Albin Kurti, dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë vizituar Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) të premten, rreth dy muaj para nisjes së regjistrimit të popullsisë.

Kurti në këtë vizitë ka vlerësuar se statistikat e sakta janë të rëndësishme dhe të nevojshme për zhvillimin e vendit.

“Rreth dy muaj na ndajnë nga nisja e regjistrimit të popullsisë. Statistikat e sakta janë të rëndësishme e të nevojshme për shtetin, për zhvillimin e vendit dhe targetimin e duhur të politikave e strategjive të Qeverisë. Përkushtim i lartë, energji dhe vullnet nevojiten për ta planifikuar e zhvilluar me sukses regjistrimin e popullsisë, në mënyrë gjithëpërfshirëse e të qasshme për të gjithë qytetarët tanë, nga të gjitha komunitetet e në secilin lokalitet”, citohet Kurti në komunikatën e Qeverisë.

Mes tjerash, kreu i ekzekutivit thuhet se i ka ofruar mbështetje e plotë ASK-së në realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë me standardet e kushtet teknike të nevojshme.

Qeveria pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor, porse për shkak të mos përgatitjes me kohë, ASK-ja kishte kërkuar që ky proces të shtyhet për vitin tjetër.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19. Sipas regjistrimit të 2011-ës, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milionë banorë.