Dy ministrat e Italisë mbërrijnë në Kosovë, kërkojnë shmangie të tensioneve në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani dhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, kanë zbarkuar në Prishtinë.

Kështu kanë bërë të ditur nga ambasada italiane në Kosovë.

Gjatë vizitës së tyre, Tajani dhe Crosetto do të takohen me kryeministrin Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani, Ministren e Jashtme Donika Gërvalla si dhe Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Qëllimi kryesor i këtij takimi është të kërkohet një marrëveshje se si të parandalohen tensionet në rajon.

Ndërkaq vetë ministri Tajani ka shkruar se Italia dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkanin Perëndimor.

Ai ka njoftuar se, përveç Prishtinës, do ta vizitojnë edhe Beogradin.

“Sot në mision të përbashkët me Ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto në Serbi e Kosovë. Po punojmë për të ulur tensionin mes dy vendeve, edhe falë pranisë së kontingjentit tonë ushtarak. Italia gjithashtu dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.

Tajani e ka quajtur konstruktiv qëndrimin e Serbisë në dialog, teksa vendimet e Prishtinës i ka cilësuar si të “njëanshme dhe që nuk çojnë në zgjidhje”.

“Iniciativat e njëanshme nuk mund të çojnë në zgjidhjen e problemit, e vlerësoj shumë qëndrimin konstruktiv që tregoi Serbia dje”, tha Tajani pas një takimi që kishte me kolegun e tij serb Ivica Daçiq në Beograd.