Dy kosovarë tentuan të fusin ilegalisht kufomën e një të afërmi përmes portit të Barit

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Portin e Barit në Itali. Dy shqiptarë nga Kosova kishin ngarkuar në automjetin e tyre kufomën e një të afërmi sikur të ishte ndonjë mall.

Dy shqiptarët kanë llogaritur që trupin e pajetë e të afërmit tyre ta varrosnin në Kosovë pasi të udhëtonin përmes tragetit Bari-Durrës dhe më pas për në Kosovë. Megjithatë, mediat italiane, pas ngjarjes shkruajnë se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale, por thjesht, shqiptarët nga Kosova që kishin marrë trupin e pajetë nga Italia, po tentonin që ta dërgonin trupin e njeriut që kishte vdekur për në Kosovë, ku dhe do e varrosnin.

Duke shpërfillur çdo rregull për të tilla raste, shqiptarët nga Kosova kishin ngarkuar trupin e pajetë në automjet, në një mënyrë të pazakontë. Pas kontrolleve policore në portin e Barit, u gjet trupi i pajetë në bagazh të automjetit, teksa mjeti po tentohej të hipej në traget, bashkë me kufomën.

Ndaj dy shqiptarëve që tentuan të ngarkojnë kufomën në tragetin e linjës Bari–Durrës u mor masë administrative nga autoritetet policore italiane. Ndërkohë që autoritetet italiane morën masa, ku dërguan trupin e pajetë të shqiptarit në morg dhe transporti i kufomës do të bëhet konform të gjitha ligjeve e rregullave të shtetit italian.