Arbër Hoxha e ka demonstruar edhe këtë sezon se është një lojtar i klasit të lartë.
Futbollisti kosovar është duke e kaluar një sezon fantastik me Slaven Belupon në Kroaci dhe kjo ka bërë që klubet e njohura t’ia vënë syrin atij.
Në Kroaci, ish-futbollistin e Prishtinës po e kërkon Dinamo Zagrebi, i cili synon ta transferojë gjatë verës që vjen.

Por, mediat kroate raportojnë se rrethi i klubeve të interesuar për futbollistin ofanziv është duke u zgjeruar.
“Sportske Jutarnji” shkruan se në garë për futbollistin janë futur edhe dy klube të Serie A, përcjell “Gazeta Express”.
Hoxha aktualisht konsiderohet si lojtari i krahut të majtë më i mirë në Kroaci, ndërsa është mjaft i rrezikshëm në lojën një kundër një dhe në krijimin e rasteve, krahas golave që po i shënon.

Sipas mediumit kroat, interesim për Hoxhën kanë shfaqur klubet elitare italiane, Torino e Monza, por edhe Ferencvarosi i Hungarisë.
Hoxha i ka realizuar 5 gola dhe i ka dhuruar 3 asistime në pjesën e parë të sezonit, ndonëse u injorua nga Kombëtarja e Kosovës në këtë vit.
Nga shitja e Hoxhës, Slaven Belupo mund t’i fitojë 2-3 milionë euro.







