Dy javë pas zgjedhjeve, në Kore të Jugut s’është shënuar ndonjë rast i brendshëm me koronavirus

Korea e Jugut të enjten nuk ka regjistruar ndonjë rast të ri të brendshëm me koronavirus, për herë të parë që nga shkurti, ka njoftuar Qendra e Koresë për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjes (KCDC), njofton agjencia Reuters.

KCDC ka njoftuar për katër të infektuar, të gjitha raste të importuara, duke dërguar numrin në nivel shtetëror në 10.765.

Numri i të vdekurve është rritur për një, në 247, ndërsa 9.059 janë liruar nga spitali.

Autoritetet shëndetësore kanë konkluduar se nuk ka pasur shpërndarje lokale të virusit nga zgjedhjet parlamentare këtë muaj, ku autoritetet kanë marrë masa të sigurisë, duke i kërkuar votuesve të mbajnë maska dhe doreza të plastikës në momentin e votimit.

“Kanë marrë pjesë 29 milionë votues në zgjedhjet parlamentare më 15 prill. Asnjë rast nuk është regjistruar në lidhje me zgjedhjet, gjatë kësaj periudhe të inkubacionit prej 14 ditëve”, ka thënë Yoon Tae-ho, drejtor i përgjithshëm i shëndetit publik.