Dy holandezë, një francez e një çek – Këta janë gjyqtarët e Hagës që do ta gjykojnë Salih Mustafën

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trëndafilova dje ka caktuar trupin gjykues në rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ajo caktoi gjykatësit Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula (rezervë) në Trupin Gjykues I.

“Ky caktim u bë pas njoftimit prej Gjykatësit të Procedurës Paraprake se dosja e plotë e çështjes Prokurori i Specializuar k. Salih Mustafës (KSC-BC-2020-05) do të jetë gati për t‘iu kaluar Trupit Gjykues më 7 maj 2021”, thuhet në komunikatën për media.

Por, kush janë gjyqtarët që do ta gjykojnë ish-komandantin, Salih Mustafa?

Trupi gjykues i përbërë nga 4 gjyqtarë, njëri prej tyre rezervë, vinë nga Holanda, Franca dhe Republika e Çekisë.

Gjykatësi Roland Dekers (Holandë) shërben si gjykatës i lartë në Gjykatën e Apelit të Hertogenboshit (‘s-Hertogenbosch ) nga viti 2017.

Midis 2008 dhe 2017, shërbeu si gjykatës i lartë (nënkryetar) në Gjykatën e Apelit të Hagës, ku kryesoi seksionin për krime ndërkombëtare. Nga 2005 deri më 2008, gjykatësi Dekers punoi si gjykatës ndërkombëtar në Dhomën për Krimet e Luftës të Gjykatës Shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë.

Para kësaj periudhe, ai shërbeu si gjykatës në seksionin penal të Gjykatës së Apelit në Amsterdam (2002-2008) dhe gjatë viteve 2001-2002, në seksionin penal të gjykatës së qarkut të Rurmondit (Roermond), përcjell Reporteri.net.

Gjatë periudhës 1997-2001, ai ishte gjykatës në Gjykatën e Përbashkët të Drejtësisë për Arubën dhe Antilet Holandeze. Gjatë periudhës 1992-1997, punoi në gjykatën e qarkut në Hagë, fillimisht si jurist i lartë e më pas si gjykatës. Para kësaj periudhe ka punuar si jurist për shoqëri tregtare dhe si hulumtues i të drejtës civile në Universitetin e Utrehtit.

Gjykatësi Dekers ka qenë ligjërues i jashtëm i të drejtës penale ndërkombëtare dhe procedurës penale në disa universitete në Holandë. Gjithashtu ai është anëtar i komisionit këshillimor të fakultetit juridik të Universitetit të Mastrihtit dhe anëtar i regjistrit të ekspertëve të Seksionit për Çështje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.  Gjykatësi Dekers studioi për drejtësi në Universitetin e Utrehtit (Utrecht) dhe të Mastrihtit (Maastricht), në Holandë dhe u diplomua si jurist nga Universiteti i Mastrihtit.

Edhe gjykatësja tjetër, Mapi Feld-Folia vjen po nga ky shtet i njëjtë evropian si kolegu i saj.

Feld-Folia punon si gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Hagë që nga viti 2010, ku është anëtare e Dhomave për Trafikimin e Qenieve Njerëzore dhe Krimeve Ndërkombëtare. Prej vitit 2006, ajo punoi si gjykatëse në gjykatën e shkallës së parë të Hagës, në çështje të së drejtës penale (ndërkombëtare) dhe ekstradimit.

Nga 1997 deri më 2005, ajo punoi në departamentin e të drejtës penale të zyrës shkencore të Gjykatës Supreme të Holandës. Gjatë kësaj periudhe, më 2001, ajo gjithashtu u caktua në Ministrinë e Punëve të Jashtme si përfaqësuese zëvendësuese në Gjykatën Evropiane për Të drejtat e Njeriut.

Ajo ka qenë mësimdhënëse e të drejtës dhe procedurës penale si edhe e të drejtës penale evropiane në Universitetin e Tilburgut dhe në Universitetin e Erasmusit në Roterdam (Holandë).

Gjykatësja Feld-Folia është diplomuar për drejtësi nga Universiteti i Tilburgut dhe ka një diplomë pasuniversitare nga Universiteti i Lirë i Brukselit (Belgjikë). Ajo u doktorua për të drejtat e njeriut dhe procedurën penale nga Universiteti i Tilburgut.

Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale si edhe të së drejtës penale evropiane dhe ka ligjëruar për të drejtën evropiane, trafikimin e qenieve njerëzore dhe të drejtën (procedurale) penale.

Kurse, gjykatësi Zhilber Biti vjen nga shteti i Francës.

Ai punon si këshilltar i lartë juridik në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) Seksioni i Procedurës Paraprake (2005-aktualisht).

Ai gjithashtu ka punuar si shef i Seksionit të Pjesëmarrjes së Viktimave dhe Dëmshpërblimeve në GJPN dhe zëvendësshef i Seksionit Këshillimor Juridik në Zyrën e Prokurorit të GJPN-së (2004-2005).

Ka qenë përfaqësuesi juridik i qeverisë së Francës para Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut (1993-2001) dhe anëtar i delegacionit francez gjatë negociatave të Statutit të Romës dhe të Rregullores së Procedurës dhe Provave të GJPN-së. Nga viti 1991 deri në vitin 1993, gjykatës Biti ka qenë ndihmës-profesor në Universitetin e Parisit II (Pantheon Assas, Francë).

Gjykatës Biti vazhdon të ligjërojë në një numër universitetesh në Francë (Lille dhe Paris) dhe Spanjë (Barcelonë). Gjykatës Biti ka botuar gjerësisht në fushat e të drejtës penale ndërkombëtare dhe të të drejtave të njeriut në gjuhën angleze, franceze dhe spanjolle. Gjykatës Biti është anëtar i Bordit Këshillues për Qendrën për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Politikë (CILRAP).

Gjykatës Biti është i diplomuar në shkenca juridike (magjistër me specializim në karriera në gjyqësi dhe DEA – diplôme d’études approfondies – në të drejtën penale) nga Universiteti i Parisit II (Pantheon-Assas, Francë).

Tutje, gjykatësi i fundit, i cili bën pjesë në ekipin rezervë të trupit gjykues ndaj Mustafës, Vladimir Mikula vjen nga Republika Çeke.

Mikula ka punuar si gjykatës i EULEX-it që prej vitit 2011. Gjithashtu, ai ka qenë gjykatës në rajonin e Bohemisë Veriore në Republikën Çeke që prej vitit 2007. Më herët ka punuar edhe si këshilltar ligjor i institucioneve financiare në Pragë.

Ai është diplomuar si jurist në Universitetin e Pragës (Republika Çeke).

Mes tjerat, Gjykata Speciale sot njoftoi se në pajtim me rregullën 116 dhe rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pas marrjes së dosjes së çështjes, trupi Gjykues mban pa vonesë një konferencë përgatitore për gjykimin me palët, pas së cilës përcakton afatin për mocionet që mund të dorëzohen prej tyre para nisjes së gjykimit.

“Çështja kundër z. Salih Mustafa është e para që do t‘i kalohet një trupi gjykues.”

Kujtojmë se Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’), raporton Reporteri.net.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash.