Dy fëmijë janë parë në mëngjesin e sotëm duke lëvizur me në skuterë elektrik në rrugën ‘B’, pa mjete mbrojtëse,.
Në faqen e Facebook ‘Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë’, është publikuar një video e dy fëmijëve të cilët shihen duke lëvizur me një skuterë elektrik.
Fëmijët shihen pa kapela mbrojtëse në kokë dhe lëvizin nga rruga ‘B’, rrugë kjo që është shumë e frekuentuar nga veturat dhe shpesh ka pasur edhe aksidente, të cilat disa prej tyre kanë qenë me fatalitet.
Njëri nga fëmijët e vozit këtë skuterë elektrik, ndërsa tjetri mbahet për të.
Video është komentuar shumë nga qytetarët, të cilët i kanë kritikuar prindërit e fëmijëve, pasi një mjet i tillë është i rrezikshëm për fëmijë, duke pasur parasysh moshën që kanë ata.
‘Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë’, për këtë rast ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
Skuterët dhe mjetet e tjera elektrike janë shumë ‘trend’ në Kosovë, por edhe në shtetet tjera të Europës.
Çmimi i tyre fillon nga 250 deri në 1 mijë euro.
Shpejtësia e këtyre skuterëve elektrik arrin deri në 40 kilometra në orë







