Dushi synon garën për deputet, LDK-ja ende s’ka vendosur për zëvendësuesin e tij në KQZ

Florian Dushi ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Këtë ai thotë se e ka bërë për dy arsye, e para është zgjedhja e tij si anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe synimi i tij që të jetë në listë për deputet.

Për KP, Dushi ka thënë se synon të jetë në listë për deputet, por që nuk ka marrë një konfirmim zyrtar nga LDK-ja se a do të jetë në listë për garë për deputet.

“Arsyeja e parë është se pozicioni im në KQZ bie ndesh sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme me pozitën të cilën tash rishtazi jam zgjedhur anëtar i kryesisë qendrore në LDK. Si dhe për shkak të projeksioneve të mia me qenë pjesë e listës së LDK-së për deputet. Jo nuk kam marrë kurrfarë konfirmimi”, tha ai.

Në LDK ende nuk është vendosur as se kush do ta zëvendësojë Dushin në KQZ.

E pyetur në lidhje me këtë çështje, kandidatja për kryeministre nga LDK-ja Vjosa Osmani, tha se në partinë e saj ka shumë kuadro që mund të merren me këtë punë, por se ende nuk kanë vendosur për emrin.

“Është çështje teknike besoj do të rregullohet shumë shpejt ajo punë. LDK ka aq shumë kuadro sidomos në një fushë të tillë, kështu që ka aq shumë mundësi për të zgjedhur”, tha Osmani.

Kujtojmë se për disa muaj radhazi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e kishte dekretuar përbërjen e re të KQZ-së.

Nga Zyra e Presidentit ishin deklaruar se vonesa kishte ndodhur pasi nuk i kanë pranuar ende të gjitha propozimet për anëtarë të këtij institucioni, nga subjektet politike, sikur e parasheh ligji.

Presidenti nuk e pranoi menjëherë emrin e Florian Dushit si anëtar nga LDK-ja në KQZ.

Kjo pasi zyra e presidentit kishte vlerësuar se ai tashmë i kishte konsumuar tri mandate dhe nuk duhet të dekretohet edhe për një tjetër mandat.