Duro e arrin fitoren e parë me Feronikelit kundër Llapit, Drita e mund Arbërinë

Klodian Duro më në fund e ka arritur fitoren e parë si trajner i Feronikelit pas katër tentimeve, pasi skuadra e tij e mundi 1:0 Llapin, ndërkohë që Drita e ka vazhduar formën e mirë duke e mposhtur Arbërinë 1:0 në ndeshjen tjetër të javës së nëntë.

Feronikeli 1:0 Llapi

Ylli Hoxha ia siguroi Feronikelit atë që ishte vetëm fitorja e dytë këtë sezon dhe e para nën udhëheqjen e trajnerit të ri, Duro, pas një ecurie tejet negative pa fitore në Superligë.

Hoxha shënoi në minutën e 54-të në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas.

Nikli më në fund i dha fund ecurisë pa fitore dhe tani grumbullon 10 pikë nga nëntë ndeshje në pozitën e shtatë.

Llapi, në anën tjetër, edhe pse po vinte nga fitorja e parë këtë sezon kundër Arbërisë në fundjavë, dështoi sërish dhe ngel në zonën e rënies nga liga.

Skuadra e Tahir Batatinës e ka vetëm një fitore këtë sezon dhe renditet e parafundit me pesë pikë, aq sa ka Besa në vendin e fundit dhe tri më pak se Drenica jashtë zonës së rënies nga liga.

Arbëria 0:1 Drita

Drita e ka shtuar presionin ndaj liderit, Ballkanit, me fitoren e sotme 1:0 kundër Arbërisë, në një garë që duket se ka filluar të bëhet e nxehtë në lutë për titull në Superligë.

Festim Alidemaj ia siguroi tri pikët e radhës kampiones së Superligës me golin e vetëm në këtë takim.

Alidemaj shënoi në minutën e 45-të për t’ia siguruar Dritës tri pikët e radhës që e afrojnë edhe më shumë pranë liderit në renditje.

Skuadra nga Gjilani, e cila e ka një ndeshje më pak të zhvilluar, ngel vetëm tri pikë larg Ballkanit dhe  me fitore të mundshme në ndeshjet e mbetur, do ta barazonte me pikë liderin.

Për Arbërinë, skuadrën e sapo promovuar në ligë, kjo ishte humbja e tretë në pesë ndeshjet e fundit.

Pavarësisht humbjes, Arbëria ngel në pozitën e pestë me 11 pikë.