Dukagjini sqaron gabimin që ia humbi tre pikë të vlefshme për inkuadrim në Superligë

Klubi i futbollit, Dukagjini, ka sqaruar gabimin që ka bërë lidhur me inkuadrimin e lojtarit Granit Elezaj në ndeshjen me Vushtrrinë në Ligën e Parë gjë që bëri që Komisioni i Garave t’ia jepte fitoren në tavolinë vushtrriasve, që të dielën u mposhtën 4 me 3 në fushë nga Dukagjini.

Komisioni i Garave i FFK-së kishte vendosur për rezultat zyrtar 0 me 3 në favor të Vushtrrisë pasi Dukagjini kishte inkuadruar Elezajn edhe pse ai s’kishte të drejtë loje për shkak të katër kartonëve të verdhë.

Vushtrria fiton në tavolinë ndeshjen ndaj Dukagjinit, nxehet gara për kualifikim direkt në Superligë

Sipas këtij klubi, ka pasur një gabim teknik në evidencën e protokolleve të ndeshjes së klubit dhe si pasojë ka ndodhur huqja.

“Sipas evidencave të Klubit tonë lojtari i KF Dukagjini, Granit Elezaj me nr. Lic.7 dhe ID002360M96, numrin e kartonëve katër (4) e ka arritur në ndeshjen Vitia-Dukagjini java e 23-të. Evidenca: (javën 1-rë) Dukagjini-Fushë Kosova, (javën e 11-të) Istogu-Dukagjini, (javën e 22-të) Dukagjini-Vllaznia P, (javën e 23-të) Vitia-Dukagjini. Dhe pas ndeshjes ndaj KF Vitia, Futbollisti Granit Elezaj ka pushuar në javën e 24-të në ndeshjen ndaj KF Trepça (dëshmi protokolli i ndeshjes), me këtë rast ka zeruar numrin e kartonëve. Megjithatë nga FFK dhe nga evidenca e protokolleve të ndeshjeve na vërtetohet se nga Klubi jonë është bërë gabim teknik dhe në ndeshjen Istogu-Dukagjini, java e 11-të, lojtari jonë Granit Elezaj nuk figuron i ndëshkuar në protokollin e ndeshjes”, thuhet në njoftim në faqen e klubit në Facebook.

Dukagjini në fund u ka kërkuar falje tifozëve dhe qytetarëve të Klinës e duke premtuar se në dy ndeshjet e radhës do të japë maksimumin për të arritur Superligën.

Tash Dukagjini është i dyti me 56 pikë, vetëm një më shumë se Besa që është e treta dhe vetëm dy më shumë se Vëllaznimi që është i katërti, me dy xhiro deri në fund të sezonit. Pozitat tre dhe katër çojnë në barazh.