Flet presidenti i FSHF-së

Duka pasi aplikoi me Serbinë për Euro 2027: Kosova e Maqedonia nuk kanë kushte, nuk kishim zgjedhje tjera përpos të bashkëpunojmë me Serbinë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka e ka cilësuar hap të rëndësishëm aplikimin e Shqipërisë që bashkë me Serbinë të organizojnë Kampionatin Evropian të futbollit për Euro 2027.

Ky aplikim ka bërë që kritikat në adresë të Dukës të jenë të mëdha, por ai e ka thënë se FSHF ka bërë shumë ndihmës në anëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA, por meqenëse as Kosova e as Maqedonia e Veriut nuk kanë kushte të mira në infrastrukturë e ka zgjedhur Serbinë që të bashkëpunojë.

“Një arritje e jashtëzakonshme për futbollin shqiptar dhe kushdo që përkrah kombëtaren kuqezi e ndihet krenar për arritjet e kësaj kombëtareje, do të mirëpresë emocionet për zhvillimin e këtij eventi ndërkombëtar në Shqipëri.

Por Shqipëria nuk hynte dot e vetme në konkurrim për shkak të mungesës së infrastrukturës së plotë. Ndaj bashkimi i përpjekjeve të FSHF me homologen e Serbisë do të shtojë shanset që në stadiumet shqiptare të shohim emocionet e magjisë së futbollit për Europianin 2027.

I kuptoj emocionet e çdo tifozi që zemra dhe flamuri i bashkojnë krah kombëtares. Por në këtë rast do të kenë një arsye më shumë të festojnë kur të shohim kombëtaren Shqiptare U21 që hyn automatikisht në këtë kompeticion, të këndojë himnin shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në Serbi.

Për shkak se Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk i kanë kapacitetet infrastrukturore që kërkon UEFA për organizimin e eventeve të tilla, opsioni i vetëm mbetej bashkëpunimi me Serbinë pasi Belgjika e Turqia që kanë aplikuar duan ta organizojnë të vetme këtë event.

Vëllezër, tifozë, të mos harrojmë përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në UEFA, të mos harrojmë as ndeshjen e zhvilluar në Beograd 10 vite më parë. Por futbolli është një sport që bashkon dhe ne kemi për detyrim ti kujtojmë brezave sot dhe atyre që do të vijnë se do të bëjmë ç’është e mundur të lartësojmë emrin shqiptar e flamurin e Shqipërisë.

Nëse FShF arrin të fitojë të drejtat e organizimit të këtij eventi, ne si Federatë i urojmë veç suksese Shqipërisë e kombëtares shqiptare U21 në Euro2027”, ka thënë Duka.