Dugolli: Edhe po ta kishim marrë qeverinë e Shtëpisë së Bardhë, nuk do të mund ta menaxhonim më mirë këtë situatë të rëndë

Për shkak të mungesës së kuorumit, sot në Kuvendin e Kosovës nuk kaloi vendimi i qeverisë për masat emergjente për furnizim me energji elektrike.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Enver Dugolli seancën e sotme e cilësoi si një mish-mash.

“Në vend se të përfundonim ashtu siç e do rendi dhe nevoja, që të votonim për këtë vendim të qeverisë, për të cilin në fillim opozita akuzonte qeverinë që është vonuar, ajo e shtroi debatin dhe kur erdhi në përfundim, nuk morën pjesë në votim fare. Kjo është një hipokrizi e tyre”.

Dugolli u shpreh se për një periudhë mbi 20-vjeçare nuk është menduar sektori i energjisë si i rëndësishëm dhe se qeveritë e kaluara është dashur të investonin aty.

“Termoelektranat në Kosovën A dhe B janë shumë të vjetra, teknologjia e prodhimit të energjisë është shumë e vjetër dhe në mungesë të investimeve kapitale të qëndrueshme, kemi ardhur në një situatë që nuk mund të parashikojmë se kur mund të dalin prej funksionit sepse janë të stërvjetëruara”.

Megjithatë, ai në Klan Kosova, tregoi se kur mund të pritet një zgjidhje për çështjen e energjetikës.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit që po vjen do ta kemi edhe strategjinë e energjisë, ku do të dimë përfundimisht limitet dhe kahjen tonë”.

Përveç tjerash, Dugolli deklaroi se edhe po ta kishin marrë qeverinë e Shtëpisë së Bardhë, nuk do të mund ta menaxhonin më mirë këtë situatë të rëndë, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin.