Duda Balje kërkon që Kosova të hapë zyrë ndërlidhëse në Bosnje e Hercegovinë

Deputetja Duda Balje po kërkon që Kosova të hapë zyrë ndërlidhëse në Bosnje e Hercegovinë.

Balje këtë kërkesë ia ka bërë kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj.

Përmes një statusi në Facebook, Balje ka shkruar se Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë shtete mike, prandaj konsideron se Kosova duhet ta hapë zyrën ndërlidhëse atje.

“I nderuari kryeministër Hoti, e nderuara ministre Meliza, lidhur me këtë insistojmë sepse është me rëndësi të veçantë dhe do të zgjedh probleme të shumta ditore. Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë shtete mike andaj edhe ne të bëjmë këtë hap!”, ka shkruar Balje.

Balje thotë se hapja e zyrës ndërlidhëse në Bosnje e Hercegovinë do të rriste bashkëpunimin ndërshtetëror e rajonal.

“Be vlerësojmë se hapja e një Misioni të posaçëm, sipas nenit 11 të Ligjit Nr. 03/L-122 Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, të tipit Zyre Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Sarajevë, do të ndihmonte në zgjidhjen e këtyre problemeve, e njëkohësisht do të mund të shërbente edhe në përafrimin politik midis dy shteteve sovrane dhe do ta rriste bashkëpunimin ndërshtetëror e rajonal”, thuhet në letrën e Baljes dërguar ministres Haradinaj.

Balje thotë se mosnjohja e Kosovës nga Bosnja e Hercegovina nuk duhet të jetë barrier e pakalueshme tash e 20 vjet.

“Jemi të vetëdijshëm se mosnjohja e shtetësisë së Republikës së Kosovës së Kosovës nga ana e autoriteteve të Bosnje e Hercegovinës është problem politik dhe i formës së funksionimit dhe vendimmarrjes institucionale atje, mirëpo kjo nuk duhet të jetë barrier e pakalueshme tash e 20 vjet”, ka shkruar Balje.

Kërkesa e deputetes Balje vjen pas zhurmës së madhe të krijuar në Bosnje e Hercegovinë për çështjen e njohje së pavarësisë së Kosovë, iniciativë kjo që në presidencën boshnjake vazhdimisht bllokohet nga Milorad Dodik i Republikës Serbe.